19Nëntor2017

FSK-ja është gati të marrë pjesë në manovra dhe misione të NATO-s

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në ditën e parë të vizitës së tij në Bruksel, ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Në takim, sipas komunikatës nga Presidenca, u bisedua për mundësinë e inicimit të një dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe NATO-s, si dhe për bashkëpunimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) me Aleancën Veri-Atlantike, teksa të dy liderët konfirmuan interesin e tyre për zhvillimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet NATO-s dhe Kosovës, transmeton Koha.net.

Më tej komunikata njofton se presidenti Thaçi është shprehur se FSK-ja është e gatshme që të marrë pjesë në manovrat, por edhe të kontribuojë në misionet paqeruajtëse të NATO-s, sidomos në fushat ku është specializuar dhe ka bërë përvojë FSK-ja. "Kosova është e vendosur që të bëhet anëtare e NATO-s", u shpreh presidenti Thaçi.

“Sekretari Stolteberg dhe presidenti Thaçi biseduan edhe për përkushtimin e Kosovës për sfidat e sigurisë – radikalizmin dhe terrorizmin. Me këtë rast, presidenti Thaçi u shpreh se Kosova do të mbetet e vendosur që të luftojë pa kompromis çdo ekstremizëm dhe radikalizëm”, thuhet mw tej nga Presidenca.

Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, theksoi se KFOR-i do të vazhdojë misionin e tij për një ambient të sigurt në Kosovë dhe do të garantojë lirinë e lëvizjes për aq kohë sa është e nevojshme.

Sekretari i Përgjithshëm thuhet të ketë vlerësuar se çfarëdo reduktimi i numrit të forcave të NATO-s në Kosovë do të bazohej në përmirësimin e kushteve në terren.

Në këtë takim, u bisedua edhe për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Gjatë vizitës, në selinë qendrore të NATO-s, presidentit Thaçi iu organizua edhe një vizitë informuese për historinë e Aleancës Veri-Atlantike.