19Nëntor2017

PVD në Medvegjë tërhiqet nga pushteti lokal

Medvegjë, 29 Nëntor(medvegja.net)

Një ditë pas Festës së Flamurit kombëtar shqiptar, ku shqiptarët e Medvegjës janë të privuar nga kjo festë gjithë kombëtare, Partia për Veprim Demokratikë është larguar nga pushteti lokal. Në një letër drejtuar kryetarit të komunës por edhe partnerëve të tjerë të kualicionit qeverisës, kryetari i degës së PVD-së në Medvegjë njëherit ish zavendëskryetar i Kuvendit Komunal zotëri Florim Sahiti, i ka njoftuar për arsyet e shumta të tërheqjes së tij dhe partisë së tij nga pushteti lokal. Ky reagim i PVD-së vjen menjëherë pas ftesës për marrje në pytje nga ana e policisë të 7 nxënësve shqiptar të shkollës së mesme në Medvegjë për gjoja të ngritjes së Flamurit Kombëtar në hapësirat e kësaj shkolle.

Vlen të ceket se në zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura më 13 shtator 2015, përkundër pengesave të shumta nga ana e shtetit, shqiptarët kishin arritur që të fitonin rreth 30 % të përfaqësimit në kuvendin komunal. Ndërsa Partia Demokratike si partia e dytë për nga numri i votave në nivel komunal kishte mbetur e vetmja në opozitë. Kësaj partie në opozitë tashmë i bashkangjitet edhe partia tjetër shqiptare, kjo dëshmon se shqiptarët nuk janë të mirëpritur në Kuvendin Komunal të Medvegjës, me vetë faktin se të gjitha partit serbe janë në pushtet ndërsa tashmë dy subjektet politike shqiptare janë në opozitë!

Në vijim ju ftojmë të lexoni njoftimin plotë për të dalë nga kualicioni të nënshkruar nga z.Florim Sahiti :

 

 

U PËRURUA LIBRI “KLUBI I VENDLINDJES ‘TROJET’ - 25 VJET PËRPJEKJE”

 

Prishtinë, më 23 nëntor(medvegja.net)

Dje, më 23 Nëntor, në Bibliotekën Universitare u bë përurimi i librit të Ismail Muharremit “KLUBI I VENDLINDJES ‘TROJET’ - 25 VJET PËRPJEKJE”

 

Me fjalë rasti u paraqitën Halim Hyseni, redaktor i librit, dhe Hysen Kadriu, recensent dhe redaktor gjuhësor, kurse me fjalë përshëndetëse u paraqitën Dr, Sabri Ramabaja, Dr. Ramadan Xhema, Dr. Hakif Bajrami dhe Ajet Dalipi.

 

Në vijim, po e jap fjalën time të rastit, të përgatitur me shkrim:

 

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Pas librave: “Shqiptarët e Medvegjës nëpër shekuj, 1 dhe 2”, “Mos harro...!” dhe “Fushë-Kosova në shtjellën e mbijetesës”, Ismail Muharremi na befasoi këndshëm edhe me librin e fundit monografik, “Klubi i vendlindjes ‘Trojet’ - 25 vjet përpjekje”, përurimin e të cilit po e bëjmë sot.

Në vetë titullin e librit, autori spikat përpjekjet e shqiptarëve të Anamedvegjës për ruajtjen e identitetit të vet në trojet stërgjyshore, për ruajtjen e trashëgimisë kulturo-historike të shqiptarëve të këtyre mjediseve dhe për mbijetesën e tyre në këto troje.

          Autori Ismail Muharremi i qaset përshkrimit deri në detaje gjithë historiatit dhe veprimtarisë së Klubi të vendlindjes, “Trojet”. Kështu, lexuesi i rastit do të mësojë se ky klub u formua më 18. 4.1991 dhe se Kuvendi i parë themelues i Klubit u mbajt në shkollën fillore “Nazim Gafurri”, në Prishtinë. Nismëtarë për themelimin e tij, në rrethanat e krijuara të asaj kohe me suprimimin e subjektivitetit autonom të Kosovës në vitin 1989 nga Serbia, ishin një numër intelektualësh dhe veprimtarësh shqiptarë të Anamedvegjës, ndër të cilët shquheshin: Ali Duli, Ismail Muharremi, Halim Hyseni, Ajet Dalipi, Hamit Zejnullahu, Fadil Ismaili e shumë të tjerë. Për shqiptarët me prejardhje nga komuna e Medvegjës, të cilët jetojnë në Kosovë dhe në vendlindje, ishte kjo një ndërmarrje e parë e vetorganizimit. Gjithnjë sipas autorit, përkrahje të madhe për këtë nismë pati nga Shoqata për Riatdhesimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Sanxhaku i Nishit, e përfaqësuar nga Milaim Kadriu,si dhe nga përfaqësuesit e Shoqatës Humanitare “Medvegja”  me seli në Zvicër.

           Në Kuvendin themelues u miratuan organet e Klubit, si dhe u zgjodh Kryesia prej 13 anëtarësh, kurse kryetar Ali Duli, nënkryetar Sadik Osmani dhe sekretar Ajet Dalipi, duke pasur jehonë të madhe, jo vetëm në Kosovë, por edhe në vendlindje dhe në Diasporë.

          Më tej, autori Ismail Muharremi i pasqyron kushtet dhe rrethanat në të cilat u zhvillua puna dhe aktivitetet e Klubit, të cilat ishin jashtëzakonisht të vështira. Në mungesë të lokalit përkatës të punës dhe të mjeteve materiale, Kryesia i mbante mbledhjet e veta nëpër banesa apo shtëpi private, nëpër zyra të bizneseve private, si dhe nëpër lokale të subjekteve të pavarura qeveritare të Kosovës.

Synimet kryesore ishin:

-         Identifikimi i nevojave dhe përmbajtjeve programore me qëllim të regjistrimit, të ruajtjes, të begatimit dhe të kultivimit të të mirave materiale dhe të traditave kulturore të popullatës së kësaj ane;

-         Ruajtja dhe krijimi i lidhjeve më të ngushta me vendlindjen dhe bashkëvendësit tanë në pjesë të ndryshme brenda e jashtë vendlindjes; Përcjellja dhe studimi i procesit të shpërnguljeve, faktorët e shpërnguljeve, vendstrehimi dhe vendndodhja e tyre dhe pasojat e këtyre lëvizjeve nga aspekti politik, ekonomik e social;

-         Ndërmarrja e masave dhe veprimeve për ndalimin e procesit të shpërnguljeve nga trevat e Medvegjës;

-         Krijimi i kushteve jo vetëm për ndërprerjen e procesit të shpërnguljeve, por edhe për kthimin e të shpërngulurve në trojet e veta;

-         Aktivitetet për gjurmimin, grumbullimin, sistemimin dhe prezantimin e të kaluarës historike dhe të trashëgimisë kulturore të vendlindjes;

-         Krijimi i një bashkëpunimi më të ngushtë me subjektet arsimore e kulturore në vendlindje me qëllim të përparimit, begatimit dhe mbrojtjes së sistemit arsimor-edukativ në gjuhën shqipe, si dhe sigurimi i ndihmave humanitare për kategoritë sociale.

 

          Ndër detyrat e para të Klubit ishte ndërhyrja humanitare dhe kontaktet me SHHB “Nëna Tereza” në Prishtinë dhe me Shoqatën Humanitare “Medvegja” në Zvicër me qëllim të sigurimit të një sasie të ndihmave për nevojtarët e Anamedvegjës që ishin vendosur në Kosovë.

          Nga libri “Klubi ‘Trojet’ - 25 vjet përpjekje” e kuptojmë se Klubi atëbotë  e miratoi edhe Platformën për bisedime me strukturat përkatëse në vendlindje, të cilat ndikuan në inkuadrimin dhe angazhimin e shumë personave në një varg aktivitetesh, siç janë fusha e arsimit, e kulturës, përpjekjet për realizimin e të drejtave nacionale, pajtimi i gjaqeve dhe ngatërresave në mesin e disa familjeve shqiptare etj.

          Veç kësaj, ky Klub u mor edhe me organizimin e Referendumit për mëvetësi territoriale të komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, që u mbajt më 1 dhe 2 mars 1992, sidomos në mesin e shqiptarëve me origjinë nga këto komuna, të cilët jetojnë në Prishtinë dhe në vende të tjera të Kosovës. Anëtarët e Kryesisë së Klubit dhe aktivistë të tjerë e kryen këtë obligim me një vullnet të jashtëzakonshëm. Ky aktivitet sivjet u përkujtua me një Tribunë kushtuar 24-vjetorit të atij referendumi.

          Aktiviteti i Kryesisë së Klubit, sipas autorit të librit, kishte rënë pak nga ritmi për shkak se në vitin 1994 kishte vdekur kryetari i saj, Ali Duli. Edhe fillimi i luftës së UÇK-së kundër okupatorit serb në Kosovë kishte ndikuar në formën dhe mënyrat e aktiviteteve të Klubit, me baticat e zbaticat e veta, por pa u shuar asnjëherë.

          Pas mbarimit të luftës, puna e Klubit u intensifikua. Kryesia e Klubit merrej në fillim me gjendjen e shqiptarëve të Anamedvegjës të shpërngulur nga vendlindja, meqë Serbia e realizonte në mënyrë të organizuar fazën përfundimtare të programeve për zbrazjen e vendbanimeve shqiptare në komunën e Medvegjës. Edhe shqiptarët e paktë të mbetur nga shpërngulja e vitit 1999 përballeshin me presionet e llojllojshme të pushteti serb. E një gjendje e tillë, jo vetëm që e bllokonte kthimin e të shpërngulurve, por nxiste shpërnguljen e popullatës së mbetur shqiptare.

          Kryesia e Klubit “Trojet” pati angazhime të shumta kushtuar pozitës së shqiptarëve të shpërngulur nga Anamedvegja. Në takime të shumta bisedohej për format e organizimit sa më praktik për t’i dalë në ndihmë në mënyrë të organizuar popullatës së shpërngulur, për përkujdesjen e përkohshme të tyre dhe për ndërmarrjen e masave të mundshme për krijimin e parakushteve për kthimin e tyre nëpër shtëpitë e veta.

          Një pjesë të aktivitetit të vet Klubi ia kushtoi bashkëpunimit me Shoqatën Humanitare “Medvegja” në Zvicër, e cila kishte shprehur gatishmërinë për ta ndihmuar KV “Trojet” në zhvillimin e veprimtarisë së vet në fushën e arsimit, të kulturës, çështjet sociale etj. Angazhimet e përbashkëta do të ndihmonin në zbutjen e pasojave të eksodit të bashkëvendësve tanë dhe në krijimin e rrethanave për kthimin e një numri sa më të madh të tyre nëpër shtëpitë e veta.

          Autori në mënyrë kronologjike ka evidentuar edhe aktivitetet tjera, siç është shënimi i përvjetorit të vrasjes së Hashim Hajdinit dhe të masakrës serbe në Fushë-Kosovë, më 26 dhe 27 mars 1999, e më pas edhe bashkëpunimin e Klubit të vendlindjes “Trojet” me subjektet politike, veçanërisht në Medvegjë për organizimin e protestave në Prishtinë dhe konsultimet lidhur me Platformën politike për zgjidhjen paqësore të statusit të Luginës së Preshevës.

          Kështu, një protestë e tillë, gjithnjë sipas dokumentimit faktit të autorit, u organizua në Prishtinë, më 26 prill 2001. Kërkesat e parashtruara kishin të bënin me krijimin e kushteve paraprake dhe të sigurta për kthimin e të shpërngulurve në vendlindje, tërheqjen e forcave policore dhe ushtarake nga këto treva, ndërprerjen e dhunës, të maltretimeve, të keqtrajtimeve dhe të formave të tjera represive të pushtetit serb ndaj shqiptarëve, krijimin e mundësive për ruajtjen e identitetit kombëtar në këto treva, përdorimin e lirë të simboleve kombëtare, të kulturës, të gjuhës, të shkollimit dhe të informimit dhe realizimin e vullnetit të shqiptarëve, të shprehur në Referendumin e mbajtur më 1 dhe 2 mars 1992. Atë tubim protestues e përshëndeti me një fjalë rasti edhe akademiku Idriz Ajeti, i cili me zotimin e tij se “tubimin tjetër do ta mbajmë në Tupallë” u prit me ovacione dhe përkrahje frenetike.

          Lidhur me acarimin e gjendjes dhe shpërthimin e konflikteve të armatosura në mjediset shqiptare të komunave Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, Kryesia e Klubit “Trojet” u angazhua shumë. Kësaj çështjeje ia kushtoi disa mbledhje të zgjeruara, konsultime, takime me përfaqësuesit e UÇPMB-së e veprime të tjera. Me kërkesën e disa eprorëve ushtarakë, të angazhuar në këto zhvillime, u bë edhe analiza e dokumentit të propozuar nga pala serbe për mënyrën e zgjidhjes paqësore të krizës në Luginën e Preshevës. Vërejtjet, sugjerimet e propozimet përkatëse iu dërguan strukturave përkatëse në bisedime.

          Me iniciativën e disa aktivistëve politikë e ushtarakë, Klubi debatoi edhe për organizimin dhe grumbullimin e mjeteve materiale për nevojat e krahut ushtarak, të stacionuar në zonën ushtarake të Gërbacit dhe në zonat e tjera ushtarake në Luginën e Preshevës. U diskutua për rëndësinë e veprimit ushtarak të UÇMB-së në Zonën e Medvegjës, për ardhmërinë e popullatës shqiptare në këtë komunë, për mundësitë dhe mënyrën e përkrahjes logjistike, sigurimin e mjeteve në të holla dhe ushqim etj.

          Një pjesë të angazhimit të vet,Klubi “Trojet” ia kushtoi organizimit të regjistrimit të popullsisë në Medvegjë në vitin 2002, organizimit të zgjedhjeve lokale në Medvegjë, si dhe organizimit të “Takimeve të vendlindjes” që mbahen tradicionalisht më 1 maj, në Tupallë.

          Autori i librit evidenton se më 16 maj 2004 u mbajt Kuvendi i dytë zgjedhor në shkollën e mesme “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë, në të cilën, përveç delegatëve të zgjedhur, merrnin pjesë edhe një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve të Anamedvegjës, të Diasporës dhe mysafirë të tjerë, ndër të cilët duhet përmendur akademik Idriz Ajetin, prof. dr. Sabit Uka dhe Jonuz Musliu. Duke e përshëndetur këtë kuvend, akademik Idriz Ajeti, përveç tjerash, tha: “Interesi ynë i vetëm është kthimi atje” (në vendlindje).

          Ndër aktivitetet e para të Kryesisë së re të Klubit ishin përpjekjet për krijimin e një fondi për stimulimin e kthimit të familjeve të shpërngulura në Medvegjë. Për këtë qëllim, Kryesia u bëri apeltë gjitha subjekteve ekonomike private dhe bashkëvendësve që veprojnë në Kosovë dhe Diasporë, si dhe individëve të tjerë që kanë mundësi të ndihmojnë me mjete, në mënyrë që të krijohet një fond për krijimin e mundësisë për kthimit e familjeve të interesuara.     Një angazhim të veçantë Klubi ia kushtoi organizimit të zgjedhjeve lokale në komunën e Medvegjës, që u mbajtën më 4. 6. 2006. Për këtë qëllim, Klubi siguroi mjete dhe transportin falas për bashkëvendësit tanë që jetojnë në Kosovë, në mënyrë që të merrnin pjesë në votime në mënyrë sa më masive.

          Klubi i vendlindjes “Trojet” ishte iniciator i organizimeve të shumta kulturore, pra edhe i organizimit të shënimit të 90-vjetorit të lindjes së akademik Idriz Ajetit, me ç’rast ai u shpall Qytetar Nderi i vendbanimeve shqiptare në Anamedvegjë.

          Klubi e mbajti edhe Kuvendin e tretë zgjedhor, më 28 maj 2011, në Shtëpinë e Kulturës në Fushë-Kosovë, për të vazhduar si organizatë joqeveritare dhe vullnetare me përpjekjet e konsiderueshme që t’i realizojë detyrat dhe obligimet që dalin nga Statuti dhe aktet e tjera normative, përcaktimet programore, si dhe detyrat e parashtruara si nevojë e rrethanave dhe e zhvillimeve në komunën e Medvegjës.

Kryesia, gjatë kësaj periudhe kishte prioritet pasqyrimin e vazhdueshëm të gjendjes reale në komunën e Medvegjës, përcjelljen e lëvizjes së popullatës shqiptare, problemet kryesore me të cilat ata ballafaqoheshin në fushën e arsimit, të kulturës, të punësimit, e mbi të gjitha çështjet e sigurisë së qytetarëve, me qëllim të sensibilizimit të opinionit kosovar dhe ndërkombëtar, të njohjes së tyre me problemet e bashkëvendësve tanë në vendlindje dhe të angazhimit të tyre në ndërmarrjen e masave të mundshme.

 Klubi u angazhua veçmas rreth organizimit dhe realizimit të zgjedhjeve lokale në komunën e Medvegjës në vitin 2015 dhe tejkalimit të ndasive dhe të përçarjeve të subjekteve politike atje. Mjerisht, përkundër qëllimeve të mira e të sinqerta, Klubi nuk ia doli që t’i bashkojë subjektet politike shqiptare në një Listë të përbashkët zgjedhore, që do t’i faktorizonte si trup elektoral në qeverisjen lokale.

Ndërkohë, Klubi e mbajti edhe Kuvendin e katërt zgjedhor, me çka rrumbullakohet puna 25-vjeçare e Klubit.

          Këtë punë të madhe autori e përjetësoi në këtë libër, i cili ndahet në 5 pjesë dhe shtrihet në 339 faqe, të mbushura edhe me një mori faksimilesh të dokumenteve origjinale, si procesverbale, shkresa, kumtesa e fotografi. Për pasqyrimin e punës së Kryesisë së Klubit janë shfrytëzuar materialet burimore të punës. Meqenëse një pjesë e konsiderueshme të tyre janë uzurpuar, djegur ose dëmtuar para dhe gjatë luftës së vitit 1999, ekziston mundësia e lëshimeve dhe të paqartësive në pasqyrimin e punës, thotë autori. Megjithëkëtë, janë bërë përpjekje që shumica e të dhënave nga mbledhjet e Kryesisë, të kuvendeve zgjedhore të Klubit dhe të degëve të tij, si dhe të shkresave e të materialeve të tjera, kryesisht nga arkivi i ruajtur i autorit të këtij libri, të prezantohet në mënyrë kronologjike dhe me një saktësi të konsiderueshme.

 

Të nderuar të pranishëm,

Më lejoni që, në fund, edhe një herë ta përgëzoj autorin për këtë punë kolosale, t’i uroj shëndet të mirë, me dëshirë që në të ardhmen të na dhurojë edhe ndonjë vepër tjetër.

Ju faleminderit për vëmendjen!/HYSEN KADRIU-medvegja.net/

 

 Fotografoi : Gani Syla-medvegja.net

Image result for medvegja

Medvegja një vit pas zgjedhjeve!

 

Medvegja një vit pas zgjedhjeve!

Çka u arrit? 

Shkruan: Ajet DULI

Shpallja e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin Komunal të Medvegjës e që u mbajtën pikërisht më 13 shtator para një viti gati se asgjë nuk sollën të re në përmisim të kushteve të shqiptarëve të kësaj komune.

Vdekja e kryetarit të komunës së Medvegjës z.Sllobodan Drashkoviq (tashmë i ndjerë) dhe ushtrimi i mandatit nga një shqiptar në cilësinë e ushtruesit të detyrës të kryetarit të komunës sikur ngjalli ndjenjën që përveç në Bujanoc dhe Preshevë edhe në Medvegjë ka mundësi teorike dhe praktike të zgjedhet kryetar shqiptar. Kujtojmë që kryetari i Medvegjës z.Sllobodan Drashkoviq ishte zgjedhur kryetar i komunës që nga zgjedhjet e vitit 2002, ndërsa ishte mandati i tij i pestë, ku nga zgjedhjet e fundit të vitit 2012, pas 14 viteve vdiq në fund të muajit nëntor 2014 e ku është zëvendësuar nga z. Florim Sahiti.

Kjo ndikoi dhe krijoi efekte të shumta pozitive që shqiptarët me një organizim më të mirë të dalin me një listë të përbashkët që jo vetëm të kenë përfaqësues të dinjiteteshëm por edhe të jetë me shumicë të këshilltarëve komunal shqiptarë dhe që kryetari i kësaj komune të jetë shqiptar. Kjo mobilizoi të gjithë aktivistët, veprimtarët, rininë studentore intelektual përfaqësues të këshillave, grupeve, shoqatave që veprojnë në Kosovë, diasporë që janë nga Medvegja.

U mbajtën shumë takime e u bënë aktivitete që të mobilizohen që të dalin me një listë për datën 13 shtator.Në mos unitetin që me një listë të dilet sepse është interes strategjik kombëtar u përkrah sikur nga të gjithë si kurrë më parë por këtu patën “gisht” subjektet politike që garuan dhe nuk arritën të gjejnë një kompromis që të dalin me një listë me kushtin që të jen me shumicë të këshilltarëve komunal shqiptarë dhe që kryetari i komunës së Medvegjës të jetë shqiptar. Kjo ishte mundësi dhe shansi që u humbë.

Unifikimi politik dështoi dhe zgjedhjet u mbajtën me 13 shtator 2015. Garuan dy forca politike: PVD-ja e UDSH-ja në njërën anë dhe PD me Listën Qytetare në anën tjetër. PVD-ja me UDSH-ën i fituan 3 këshilltarë komunal, ndërsa PD me Listën Qytetare i fituan 5 këshilltarë komunal. Destruksionet e Qeverisë së Serbisë në ditën e zgjedhjeve në vendkalimin kufitar Mutivodë na dëmtoj shumë dhe me siguri do të fitonim edhe së paku dyfishin e këtyre këshilltarëve komunal shqiptarë dhe kryetari do të ishte shqiptar në Medvegjë .

Me gjithë angazhimin e forcave policore dhe politike të qarqeve shoviniste serbe për të parën herë shqiptarët e Medvegjes i fituan 8 mandate në Kuvendin Komunal. Ishte një fitore evidente e shqiptarëve në Medvegjë në sasi, por një humbje e madhe në cilësi. Ndodhi ajo që e kishim paraparë se pushtetarët serb do të dinë të veprojnë siç kanë vepruar përherë. Aplikuan edhe kësaj here strategjinë: “përçaj e sundo!”.

Me rastin e konstituimit të qeverisë komunale në Medvegjë në koalicion hyn PVD-ja me UDSH-ën me 3 këshilltarë. Ndërsa u injoruan PD-ja me L.Q. me 5 këshilltarë. Sindromi i Shqiptarëve thembër e Akilit për organizim të mirëfillt. Mosgatishmëria e unitetit të faktorit Politik Shqiptar në fushatën parazgjedhore vazhdoi edhe pas fushatës në Kuvendin Komunal në Medvegjë. Kanë kaluar plot 365 ditë (sot një vit) pas zgjedhjeve në Medvegjë e këshilltarët tanë atje nuk janë në gjendje të marrin një iniciativë të vetmen e të jenë këmbëngulës në arritjen e të vetmit qëllim, investim, përfaqësim dhe ndalim gjegjësisht paraqitje të diskriminimit. Qarqet e caktuara të Qeverisë Serbe kanë marrë një fushatë absurde dhe diskriminuese ndaj fshirjes së Shqiptarëve të Medvegjës nga listat e evidencës e këshilltarët ,,tanë" nuk flasin dhe nuk marrin vendim unik.

Një vji kaloi! Këto pyetje janë, besojmë, jo vetëm të votuesve që votuan më 13 shtator për këshilltarë komunal shqiptarë por edhe nga të gjithë të dëbuarit, zhvendosurit dhe shpërngulurit shqiptarë nga Medevgja.