KUMTESË E KLUBIT TË VENDLINDJES “TROJET”

 

Nën drejtimin e Bislim Musliut, kryetar, Kryesia e Klubit të vendlindjes “Trojet” mbajti sot mbledhjen e vet të rregullt, në të cilën diskutoi për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të shqiptarëve të Anamedvegjës, me theks të veçantë në ruajtjen dhe rregullimin e varrezave të tyre familjare.

Pas një diskutimi të gjithanshëm, në të cilin morën pjesë të gjithë anëtarët e pranishëm të Kryesisë,u konstatua se varrezat tona familjare në vendlindje nuk janë në gjendje të mirë dhe se ato nën ndikimin e kohës, por edhe të faktorit njeri, dita- ditës po dëmtohen dhe rrënohen.

Kryesia mori qëndrim që të punohet më tepër në sensibilizimin e opinionit për nevojën e vetëdijesimit të popullatës që të punohet më tepër në pastrimin, thurjen, rregullimin dhe shënimin e varrezave, të pllakave përkujtimore dhe të gurëve të varrezave, në mënyrë që të pengohet dëmtimi dhe zhdukja e mëtejme e tyre , si pjesë e dëshmisë së jetesës sonë shekullore në trojet stërgjyshore të Anamedvegjës.

Kryesia, gjithashtu, shqyrtoi dhe përkrahu pa rezervë nismën e një aksioni humanitar për sigurimin një banese për mësuesin dhe poetin Ramiz Kadriu.   Kjo nismë është bazuar në rend të parë për shkaqe shëndetësore, por edhe për veprimtarinë dhe aktivitetet e tij në vendlindje (aksionet e rinisë për elektrifikimin e fshatrave, puna prej mësuesi në edukimin e gjeneratave të reja, botimi i shumë përmbledhjeve me poezi, botimi dhe arkivimi i dokumentacionit për pozitën e shqiptarëve në Medvegjë para dhe pas luftës etj.) Ky aksion do të jetë vullnetar dhe do të përfshijë individët, bizneset, subjektet dhe organizimet e ndryshme të shqiptarëve të Medvegjës, qoftë në vendlindje, në Kosovë dhe në Diasporë.   

Kryesia e Klubit “Trojet u informua edhe për përpjekjet për sigurimin e një zyre në Fushë Kosovë për nevoja të Klubit, si kusht i domosdoshëm për punë të mëtejme.

 

 

Prishtinë, më 22.04 2017                              KRYESIA E KLUBIT “TROJET”