24Korrik2017

A do të kaloj “Rruga e Kombit” nëpër Medvegjë?

A do të kaloj “Rruga e Kombit” nëpër Medvegjë?

 

Prishtinë-Medvegjë më 11 Nëntor(medvegja.net)

 - Qeveria e Serbisë ka pranuar të lidhet me Kosovën me autostradë, por jo në vendkalimin kufitar në Merdar, ashtu siç ishte planifikuar nga autoritetet e Kosovës. Sipas autoriteteve serbe, pika lidhëse me Kosovën do të jetë afër Prapashticës, ndërsa lidhja me autostradën më të afërt të Serbisë do të bëhet diku afër qytetit Leskovc,shkruan Koha Ditore.

Ministri serb i Komunikacionit, Milutin Mërkonjiq, ka thënë të shtunën në Beograd se Qeveria serbe ka planin e ndërtimit të autostradës nga Negotini, që gjendet në afërsi të kufirit me Rumaninë e Bullgarinë, nëpërmjet Zajeçarit, Nishit në drejtim të Prishtinës e më pas Pejës, deri në kufi me Shqipërinë. Mërkonjiq, medieve serbe u ka thënë se me këtë rrugë pritet të krijohet një korridor i ri evropian. Ndërtimi i kësaj autostrade që, sipas tij, është i harmonizuar me BE-në, është planifikuar nga Serbia për shkak se “ekonomikisht kjo do të ishte e arsyeshme”. 

Dhe, ndërkohë që ata kanë koordinuar punët me BE-në, Qeveria e Kosovës ende nuk e ka të qartë drejtimin e autostradës në territorin e saj, e as mënyrën e financimit të pjesës së mbetur, përkatësisht nga Prishtina drejt kufirit me Serbinë.