24Korrik2017

28 Nëntor 2016

Intervistë me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli

ISMAJLI: ÇDO QYTETAR DO TË TRAJTOHET NJËJTË NGA INSTITUCIONET

Prishtinë, 5 qershor(medvegja.net)

Z.Fadil Ismajli, ministër i Zhvillimit Ekonomik, ekskluzivisht për portalin medvegja.net flet për programin e AKR-së, për arritjet e tij si ministër, si dhe për planet e tij për të ardhmen

medvegja.net:nderuar ministër, na lejoni që në emër të lexuesve të revistës “Zëri i Medvegjës” dhe të organizatës “Medvegja Forum”, përkatësisht portalit medvegja.net, t’jua urojmë për zgjedhjen tuaj si nënkryetar i Aleancës Kosova e Re, si dhe për kandidimin tuaj për deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës. Ju jeni medvegjasi i parë me këto arritje. Si e ndieni veten me këtë fakt?

 Fadil Ismajli: Fillimisht dua t’ju falënderoj që arritjet e mia ju gëzojnë edhe ju si bashkëvendës të mi, sikur që çdo arritje timen e shoh pjesë të pandashme nga ju. Siç e dini, mua prej kohësh më janë besuar punë me përgjegjësi të mëdha, të cilave besoj ua kam dalë t’i drejtoj me sukses. Prandaj, edhe zgjedhja si zëvendëspresident i AKR-së dhe hyrja në garë për deputet në Parlamentin e Kosovës janë vazhdimësi e projekteve prej të cilave mendoj të realizoj punë të suksesshme, produktet këto të cilave do t’u gëzohen të gjithë qytetarët. Hyrja ime në politikë ka të bëjë me dëshirën që t’i ndihmoj të gjithë qytetarët dhe të ndikoj që mirëqenia e tyre të jetë më e mirë.

 medvegja.net: A mund të na e përshkruani në pika të shkurtra se çka përmban programi politik dhe ekonomik i AKR-së dhe çfarë dallon ky program nga ato të partive tjera ?

 Fadil Ismajli: Programi i AKR-së është një program gjithëpërfshirës socio-ekonomik, duke përfshirë edhe të gjitha fushat e jetës shoqërore dhe institucionale. Programi ynë dallon nga programet e partive tjera në atë se edhe është gjithëpërfshirës, por edhe në atë se është i realizueshëm dhe ambicioz, njëkohësisht. Mbi të gjitha, programi ynë është i fokusuar në zhvillimin ekonomik, sepse kur e kemi zhvillimin ekonomik krijojmë parakushte për zhvillim të të gjitha fushave tjera, siç janë arsimi, shëndetësia, kultura, arti, dhe fushat tjera shoqërore. Ne si AKR besojmë se themel i mirëqenies së qytetarëve janë investimet në të gjitha sferat e jetës, duke përfshirë arsimin, shëndetësinë, por me fokus në zhvillimin ekonomik, siç janë energjia, bujqësia, miniera dhe industritë përpunuese dhe shërbyese suportuese. AKR është parti origjinale që di ta harmonizojë besimin liberal me patriotizmin modern. Po ashtu, ne dimë që në harmoni më miqtë tanë ndërkombëtarë ta realizojmë ëndrrën tonë për një bashkim, i cili jemi të bindur se nis nga ekonomia dhe këtë AKR-ja tashmë është duke e realizuar dhe shembull për këtë është marrëveshja për treg të përbashkët të energjisë, si dhe nënshkrimi i linjës së intrekonjeksionit 400 kW me Shqipërinë.

 medvegja.net: Në rast të fitores së AKR-së, përkatësisht udhëheqjes së sektorit ekonomik, a mund të presin qytetarët e Kosovës rritje ekonomike më të lartë sesa gjatë periudhave të qeverive të kaluara?

 Fadil Ismajli: Ne jemi të bindur se qytetarët tashmë e kanë kuptuar se AKR-ja është e vetmja zgjidhje, e cila di ta drejtojë vendin drejt perspektivave të reja, të cilat do ta përmirësojnë jetën e qytetarëve, fillimisht.Programi ynë bazohet në zhvillim ekonomik dhe rrjedhimisht pritet një rritje e përshpejtuar ekonomike, që do të nxisë punësim dhe zhvillim më të hovshëm

 medvegja.net: Cilat do të jenë objektivat tuaja primare gjatë qeverisjes së ardhshme?

Fadil Ismajli: Prioritetet i mia janë finalizimi i projekteve energjetike, siç janë TC “Kosova e Re”, zhvillimi i projekteve të efiçiencës dhe burimet e ripërtërishme. Pastaj zhvillimi i kompanisë “Trepça”, si dhe zhvillimi i industrive përpunuese dhe shërbyese që lidhen me zhvillimin e industrisë minerare. Pasuritë natyrore të Kosovës do të mbeten pasuri e popullit të Kosovës. Gjithashtu, ristrukturimi i sektorit publik dhe i ndërmarrjeve publike, me shërbime sa më cilësore ndaj publikut. Një çështje kyçe është edhe privatizimi, ku do të bëhet rishikimi i këtij procesi dhe privatizimi do të vazhdojë të bëhet në bazë të vlerësimit të programit zhvillimor dhe punësimit që do të krijojë ndërmarrja e re, e jo vetëm privatizim kaotik dhe që nuk sjell rezultate e bëhet qëllim i vetvetes etj.

 medvegja.net: Si do ta zvogëlojë AKR-ja deficitin tregtar dhe çfarë planifikoni të bëni për ta zvogëluar normën e papunësisë, me theks të veçantë në mesin e të rinjve?

 Fadil Ismajli: Deficiti tregtar i Kosovës është shumë i lartë, ku eksporti e mbulon vetëm një pjesë të vogël të eksportit, që d.m.th. se ekonomia jonë është shumë e bazuar në import dhe në aktivitete tregtare, e shumë pak prodhuese. Prandaj, politikat tona zhvillimore janë të orientuara drejt forcimit të sektorit prodhues, zëvendësimit të importit dhe rritjes së eksportit. Në këtë mënyrë, duke bërë forcimin e ekonomisë sonë dhe duke e forcuar sektorin prodhues, ne jo vetëm krijojmë vende të reja pune, por edhe e ulim deficitin tregtar, që d.m.th. se krijohet më shumë pasuri në vendin tonë dhe për vendin tonë.

 medvegja.net: Çfarë politikash qeveritare do të ndërmerrni në të ardhmen për t’i përmirësuar aftësitë konkurruese të bizneseve kosovare dhe për ta rritur eksportin?

 Fadil Ismajli: Si e thashë më herët, ne jemi të vendosur që ta përkrahim ekonominë tonë, e në këtë rrafsh edhe bizneset tona. Prandaj, do të ndërmarrim një sërë masash për t’i mbështetur ndërmarrjet tona, qoftë në lehtësimin e barrës fiskale, qoftë me qasje më të lehtë në programet financuese zhvillimore, rritjen e shkathtësive të fuqisë punëtore, rritjen e cilësisë së produkteve të ndërmarrjeve tona, në mënyrë që ato të jenë në gjendje të jenë konkurruese edhe në cilësi, por edhe në çmim me produktet e importuara, por edhe depërtimin në tregjet e jashtme, pra eksport. Gjithashtu, do të punojmë vazhdimisht edhe në lehtësimin e procedurave burokratike ndaj bizneseve, e siç e dini, si rezultat i dikastereve që i ka udhëhequr AKR-ja, Kosova ka shënuar një përmirësim të dukshëm në raportin e Bankës Botërore.

medvegja.net: Në cilësinë e nënkryetarit të AKR-së, çfarë politikash sociale do të duhej të zhvillojë qeveria e ardhshme dhe a është në agjendën e AKR-së zvogëlimi i pabarazive sociale? 

Fadil Ismajli: Sigurisht që këtyre viteve pa dyshim që është rritur pabarazia sociale, e është dashur të jetë e kundërta. Ne jemi të vendosur dhe të bindur që mënyra më e mirë për zgjidhjen e problemeve sociale që ka popullata jonë është krijimi i mundësive të punësimit, në mënyrë që çdo qytetar të jetë në gjendje ta mbajë veten me punën e vet dhe ta ndërtojë të ardhmen dhe perspektivën e vet. Ne jemi për atë që çdo qytetar të trajtohet njëjtë nga institucionet dhe në ato raste kur punëkërkuesi nuk posedon me shkathtësitë e kërkuara nga tregu i punës, ne do t’u ndihmojmë në këtë drejtim duke i trajnuar dhe pajisur ata me ato shkathtësi. Me politikat tona, ne do të përkujdesemi që t’i zgjidhim të rastet sociale në Kosovë, ku asnjë familje kosovare nuk do të jetojë në kushte mjerimi.

medvegja.net: Gjatë një viti si ministër i Zhvillimit Ekonomik, cilat rezultate të punës tuaj do t’i veçonit si më të vlefshmet ?

Fadil Ismajli: Siç edhe e dini, e kam vetëm një vit në krye të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe për vetëm kaq kohë besoj kam arritur t’i finalizoj disa projekte. Për këtë kohë kam arritur ta sensibilizoj çështjen e gjigantit “Trepça”, e cila ka qenë nën administrimin e AKP-së, ndërsa hapi që kam ndërmarrë është ndryshimi i dy neneve, të cilat faktikisht aksionar të “Trepçës” e shndërrojnë shtetin dhe kjo është një e arritur e madhe. Kjo çështje ka kaluar në leximin e parë në Parlament dhe në dëgjimin publik në komision, ndërsa ka pasuar shpërbërja e Parlamentit, por jam i lumtur që kam arritur t’i jap rrugë të mirë. Si rezultat, konsideroj nënshkrimin e linjës së interkonjeksionit 400 kW ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, derisa në mars kam nënshkruar me homologun tim nga Shqipëria, Damian Gjiknuri, marrëveshjen për tregun e përbashkët energjetik. Po ashtu, kam arritur ta kthej besimin e investitorëve të huaj për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.

 

medvegja.net: A mendoni se gjatë qeverisjes së ardhshme do t’u mundësohet vizita zyrtare në Medvegjë, në cilësinë e ministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës? 

Fadil Ismajli: Dua t’jua bëj me dije se gjatë vitit sa e kam drejtuar MZHE-në, unë zyrtarisht kam qenë në Beograd në cilësinë e ministrit dhe kjo ka ndodhur në takimin e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, i cili është mbajtur atje. Kam besim se në vitet në vijim klima politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të arrijë të relaksohet dhe se lëvizja nuk do te jetë temë e cila do të na shqetësojë dhe se në rolin e ministrit të Republikës së Kosovës do të realizoj vizita të ngjashme dhe me shumë dëshirë në Medvegjë.

 medvegja.net: Zotëri ministër, për fund ju falënderojmë për intervistën, ju urojmë shëndet dhe shumë sukses në punën tuaj!

 Fadil Ismajli: Besoj se do të takohemi më shpesh, kur do të mund të bashkëbisedojmë për të gjitha shqetësimet e përbashkëta që kemi, për të cilat do të angazhohem maksimalisht që ta jap kontributin tim në këtë drejtim.

 Intervistoi: Msc. Gëzim B. Zeqiri,

kryeredaktor i Revistës “Zëri i Medvegjës”

Intervistë ekskluzive me sekretarin e Shoqatës Humanitare “Medvegja” në Zvicër, z. Fadil Selmani

Selmani: Medvegja është e getoizuar

 “Të mos harrojmë se Medvegja është rasti më i rëndë i shkeljeve brutale të të drejtave elementare, edhe për frymëmarrje të lirë në Evropë, pas etnocidit të Serbisë në Kosovë gjatë viteve ‘98-‘99 të shekullit që e lamë pas”, tha, ndër të tjera, zotri Selmani

Intervistoi: Dashnim HEBIBI 

Thuhet se rasti është mbret i kohës. I nderuar, ka kohë që kam dashur të bashkëbisedojmë për shumë tema në lidhje me Shoqatën Humanitare “Medvegja”, por edhe për situatën në Medvegjë. Është mirë që gjërat të thuhen troç dhe para syve, prandaj edhe po jua them, meqë je modest dhe nuk ke shumë dëshirë të flasësh, por më shumë për të vepruar. E kësaj here, besoj, se nuk do na shpëtosh pa i biseduar disa tema për hir të opinionit. Je sekretar i shoqatës, por edhe veprimtar i pandalshëm para themelimit të shoqatës dhe sot e kësaj dite. A ka përçarje në Shoqatën Humanitare “Medvegja”?

Është kënaqësi të bashkëbisedoj me ju, i nderuar. Fillimisht, më lejoni t’ju shpreh falënderimet e përzemërta dhe respektin për thyerjen e bllokadës informative që e bëtë për Medvegjën, e cila dihet që ishte në një errësirë të plotë, por falë angazhimit tuaj sot Medvegja ka dritë të plotë informative. Unë mund të flas shumë për shoqatën, se pos tjerash e kam pasur fatin të jem i inkuadruar në proceset edhe para legalizimit të saj, e siç dihet kjo shoqatë që ekziston tani gati tri dekada, zyrtarisht është legalizuar më 27 qershor 1990, ndërsa, edhe pse nga mosha isha i ri para legalizimit të saj, kam qenë bashkëthemelues i saj me 12 shokë tjerë, në mesin e tyre edhe babai im, që me gjithë moshën ende është anëtar i rregullt dhe përkrahës e stimulues i pothuajse të gjitha proceseve të kohës. Kur jam këtu, dua t’i falënderoj shumë aktivistë dhe bartës të detyrave konkrete në shoqatë, anëtarë të ish-kryesive, të cilët pa dyshim e kanë meritën e vet të pamohueshme, pastaj çdo donator që na përkrahu në momente të ndryshme të historisë të kombit shqiptar, vullnetarë dhe anëtarë të shumtë që ka kjo shoqatë. Për të mos ju marrë shumë hapësirë as juve në këtë intervistë, dua të ju përgjigjem konkretisht në pyetjen në fjalë: Jo, absotutish nuk ka përçarje në Shoqatën Humanitare “Medvegja”. Aty ka ide dhe mendime të ndryshme, veprohet në mënyrën më demokratike dhe sot, nëse jemi aty ku jemi, lirisht mund të them se idetë e ndryshme ishin dhe janë çelësi i suksesit.
 
Këtë pyetje jua bëra, duke u nisur nga përvoja ime, se aty ku arrihen suksese, fillojnë përçarjet. A po shkon duke u rritur anëtarësia, apo duke rënë numri i anëtarëve?

Shoqata Humanitare “Medvegja” në kontinuitet ka pasur numër stabil të anëtarëve, por të mos harrojmë se pos anëtarëve të rregullt kemi shumë aktivistë dhe donatorë që i ndihmuan me mjete materiale dhe me angazhime fizike proceset e kohës, për çka ne i falënderojmë kudo dhe kurdoherë.


 
Keni anëtarë të shoqatës edhe nga trevat tjera shqiptare?

Kuptohet që shumica e anëtarëve janë me prejardhje nga Medvegja, por kemi anëtarë edhe nga të gjitha viset tjera shqiptare.
 
E keni botuar edhe Monografinë e Shoqatës Humanitare “Medvegja”, e cila po mirëpritet nga elita shqiptare. Sa jeni të kënaqur me këtë monografi?

Po, para disa muajve është botuar Monografia e Shoqatës “Medvegja”, “30 vjet në shërbim të kombit”, e cila kjo është pasaportë e vërtetë e shoqatës, po edhe e medvegjasve bamirës. Është pritur shkëlqyeshëm nga elita shqiptare dhe nga shumë veprimtarë që i kemi takuar kudo dhe jemi të kënaqur që u bë diçka madhore për herë të parë në këtë drejtim. 
 
Jeni i mendimit se në ribotimin eventual të saj do të hyjnë edhe disa gjëra të tjera, që është dashur të jenë aty?

Po, patjetër. Kuptohet se në çdo botim nuk mund të përfshihen gjitha. Është kënaqësi që për një kohë të shkurtër kohore, edhe pse i botuam mbi 1000 ekzemplarë, ajo është në përfundim e sipër dhe së shpejti do ta ribotojmë, duke përfshirë akoma aktivistë dhe aktorë të kohës, se çdo material shtesë vetëm sa e madhëron edhe më tepër këtë monografi, e cila është madhore, si për shoqatën, ashtu edhe për Medvegjën.
 
Jeni lodhur nga puna humanitare në shoqatë, duke e ditur se jeta në Zvicër është shumë dinamike?
 
Jo, aspak. Të jua them të drejtën as që më ikën ndonjëherë mendja të lodhem për humanitet. Kjo është e lidhur ngushtë me shpirtin, i cili, siç dihet, vjen nga brendësira dhe është i lidhur ngushtë me besimin, pa të cilin askush s’do të mund të ketë harmoni të plotë as me vetveten, e as me të tjerët. Edhe pse dihet se jeta këtu e ka një dinamikë të jashtëzakonshme, personalisht dhe me vëllezërit jemi shumë aktivë në jetën ekonomike këtu në Zvicër, por suksesi dhe dëshira, si dhe përkrahja janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, kështu që kam mirëkuptim të plotë, por edhe përkrahje të parezervë nga të afërmit e mi për të vazhduar ende deri në arritjen e objektivave të përbashkëta për kombin. Shpresoj shumë dhe i lutem Perëndisë që të mos gaboj e t’i jap vetes luks, duke menduar se po bëj shumë për njerëzimin dhe kombin që i përkas, sepse, thjesht, aty do ta bëja me siguri mëkatin më të madh, meqë jam i mendimit që asnjëherë njeriu s’arrin ta bëjë maksimumin për njeriun.

Si po priten promovimet e monografisë, kur dihet se ajo u promovua në Bruksel, Berlin, Zagreb, Medvegjë, Prishtinë?

Perëndia i shpërbleftë autorët e saj, Dr.sci. Llukman Halili dhe Mr.sci. Dashnim Hebibi, që bënë të mundur që kjo monografi ta shohë dritën e vet. Kur jemi këtu, e ndiej si obligim ta njoftoj opinionin e gjerë se dy autorët e nderuar krejt atë punë sublime e bën pa asnjë kompensim material, për ç’gjë lutem që Perëndia t’i shpërblej me të mira në familjet e tyre. Monografia po pritet në mënyrën më të mirë të mundshme kudo, interesimi është i jashtëzakonshëm dhe po kalojmë për mrekulli.
 
Është përmendur se do ta promovoni edhe nëpër qendra të ndryshme të Evropës, por edhe në SHBA. Në njërën anë, si duket, po loboni edhe për Medvegjën nëpërmjet pasaportës së kësaj shoqate, që është monografia?

Në kuadër të shoqatës e kemi edhe grupin e lobimit, prandaj promovimet do të vazhdojnë në shumë vende tjera të botës, e së shpejti në Gjenevë, më 22.02.2014, dhe në Milano, por edhe në vende tjera, si në Paris etj. Ndërsa në atdhe patjetër, si në Preshevë, Gjilan, Tetovë dhe Prizren. Ndërsa përmbyllja e promovimit kuptohet do të ndodhë në SHBA, në shtetin më miqësor të kombit tonë. Unë e pata rastin t'ia dorëzoj një monografi të madhit dr.Ramadan Xhema në Prishtinë, më 31 janar 2014, si dhe të bashkëbisedojmë gjatë për shumë gjëra të përbashkëta. Dihet mirë kush është i madhi Xhema, kontributi i të cilit ishte dhe është jetik për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare në Ballkan. 


Gjendja në Medvegjë është tepër e rëndë 
 
Si është gjendja në Medvegjë, kur para pak ditësh jeni kthyer nga atje?

Gjendja në Medvegjë është tepër e rëndë, për të mos thënë tepër kritike dhe atë e shoh nga disa kënde. Nëse nisemi nga një kënd sipërfaqësor, atje në shikim të parë ngjan në një vend normal dhe “të qetë”', por është një geto e vërtetë. Aty gjithçka që nuk është sllave pengon, filluar nga arsimi, shëndetësia, ekonomia, siguria etj., etj. Të mos harrojmë se Medvegja është rasti më i rëndë i shkeljeve brutale të të drejtave elementare, edhe për frymëmarrje të lirë në Evropë, pas etnocidit të Serbisë në Kosovë gjatë viteve ‘98-‘99 të shekullit që e lamë pas. Atje, pas disfatës politiko-ushtarake të Serbisë në Kosovë, si shenjë hakmarrjeje e hegjemonizmit serbosllav, ndodhi krimi i organizuar shtetëror serb ndaj njerëzimit dhe brenda një afati të shkurtër kohor Medvegja u zbraz nga banorët e vet autoktonë shqiptarë. Ndodhi spastrimi ETNIK NËN HESHTJE, edhe atë para syve të botës. Pra, Medvegja, me një fjalë, është e GETOIZUAR plotësisht dhe sot ka vetëm rreth 500 banorë autoktonë dhe mund ta merrni me mend që Medvegja iliro-dardane po shkon drejt fatit të ÇAMËRISË… 
 
Dëgjuam se keni dalë me një komunikatë për unitet dhe për një subjekt të ri politik shqiptar. A mund të na tregoni pak më hollësisht për këtë?

Po. Medvegja sot është para shfarosjes nga elementi autokton shqiptar. Formimi i një subjekti autokton është domosdoshmëri e kohës. Lidhur me këtë, nuk ka asnjë dilemë apo hezitim. Është urgjencë, ashtu sikur pacienti kur ka hemorragji dhe i nevojitet intervenim i shpejtë kirurgjikal, ashtu edhe Medvegjës i nevojitet një subjekt autokton. 
 
Mendoni se do të keni përkrahje edhe nga miqtë tanë ndërkombëtarë?
 
Shpresojmë shumë se po. Mjafton të shikohet sa ishte numri i banorëve para disa viteve, e sa është sot. 
 
Jeni shoqatë humanitare e jo politike. Sa mendoni se do të dëgjohet zëri i kësaj shoqate nga ajka e intelektualëve medvegjas dhe atdhetarë?

Jam i bindur 100% se nuk ka shqiptarë që në damarët e tij rrjedh gjaku i pastër i arbrit që nuk do ta mirëpresë dhe ndihmojë këtë proces të kohës, bile-bile pres angazhime serioze dhe jetike në këtë drejtim. 
 
A është kjo parti punë e kryer, e po dilni sa për sy e faqe, apo vërtet është një nismë nga Kryesia e Shoqatës, e përkrahur nga anëtarët e saj?
 
Është ide e menduar mirë dhe e përkrahur pa rezervë nga Kryesia dhe anëtarët e Shoqatës.
 
Ku, sipas jush, do të duhej të investohej më shumë për Medvegjën?

Në arsim, shëndetësi, siguri, ekonomi, infrastrukturë, por edhe në kthimin e popullatës së shpërngulur me dhunë e në heshtje.
 
Si e komentoni takimin e dy qeverie shqiptare, që u mbajt në Prizren, me ç’rast u nda një fond ndihmues për Luginën e Preshevës?

Takimi, si i tillë, është i një rëndësie historike, ndërsa fondi i ndarë është qesharak.
 
Mendoni se Medvegja ka mbetur e harruar?

Mjerisht deri në një shkallë të madhe po…

MST/ Pse po tentohet të ngulfatet zëri i Medvegjës?
 
Çka konkretisht duhet të bëjnë Qeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës për Medvegjën?

Thjesht, t’i mbrojnë të drejtat kolektive të bashkëkombësve të vet, kuptohet fillimisht me metoda demokratike, duke bërë presione në qarqet kryesore të kancelarive vendimmarrëse të botës. Të mos harrojmë se Shqipërinë e kemi në NATO dhe në organizatën e OKB-së, e kemi edhe shtetin e Kosovës për të cilin u angazhuam të gjithë shqiptarët, kudo që jemi, edhe pse sot e kuptojmë që ajo është shtet i ri dhe ballafaqohet me hallet e veta, por është turp të qëndrojë nën heshtje për vëllezërit e vet të gjakut të nëpërkëmbur dhe të shkelur sistematikisht, jo më larg se 60 km në veri të Prishtinës, si dhe është e pakuptimtë që serbët e Kosovës gëzojnë të drejta që nuk ekzistojnë gjetiu në botë, ndërsa shqiptarëve të Medvegjës, por edhe të Preshevës e Bujanocit u mohohet edhe e drejta e natyrës, e të mos flasim për të drejta elementare për një jetë normale. Thjesht, kjo gjendje dhe ky trajtim është i papërballueshëm dhe i pakapshëm as për logjikën e një foshnje të sapolindur… Më kujtohet takimi me kongresmenin e nderuar Dioguardi, në të cilin bëhej një raport strategjik për Stejt Departamentin dhe Kongresin Amerikan dhe mund ta merrni me mend që përfaqësuesit e partive politike të Preshevës e Bujanocit nuk e kishin lajmëruar asnjë përfaqësues të Medvegjës!… Unë mora pjesë në atë takim bashkë me dy profesorë të nderuar, emrat e të cilëve për shkaqe sigurie nuk mund t’i bëj publik për momentin dhe aty, falë pjesëmarrjes sonë, ndryshoi gjithçka. Biseda u përqendrua mbi 60% për Medvegjën, sepse aty ishte edhe nevoja urgjente dhe mund ta merrni me mend - përfaqësuesit e partive politike nga Presheva dhe Bujanoci me këmbëngulje pohonin se Medvegja është e humbur e s’ka gjë atje, se gjithçka ka marrë fund dhe çdo bisedë që bënte delegacioni ynë u pengonte atyre që de fakto ishin të votuar për ta mbrojtur edhe Medvegjën. Më kujtohet si sot, që në një moment, kongresisti i nderuar Dioguardi u befasua aq shumë pse po tentohet të ngulfatet zëri i Medvegjës dhe e humbi durimin ndaj përfaqësuesve në fjalë dhe gjatë çdo ndërhyrjeje u thoshte, ‘më falni, ju lutem, e kryet më herët fjalimin tuaj, nuk po ju pyes asgjë’. Andaj, mund ta imagjinoni sa urrejtje kam parë në sytë e këtyre përfaqësuesve dhe nga ai moment e kam kuptuar se, mjerisht, Medvegja për ta është drekë e gatuar dhe e servuar për interesa individuale.
 
Keni dëgjuar ndonjë fjalë nga deputetët shqiptarë që ishin nga Lugina ndër vite në Parlamentin e Serbisë për shtypjen e të drejtave elementare shqiptare në Medvegjë?

Sigurisht që jo, vetë rrëfimi më i lartë tregon qartë.
 
Sipas jush, a do të duhej të dalin në zgjedhjet e marsit edhe shqiptarët e Luginës në Serbi?
 
Kurrsesi. Para se të mbahen zgjedhjet në këto tri komuna, posaçërisht në Medvegjë, duhet të ndryshojnë rrethanat aktuale. Si hap i parë dhe urgjent duhet të bëhet demilitarizimi i Medvegjës dhe kthimi i misionit të Këshillit të Evropës, duke shtuar këtu një forcë ndërkombëtare simbolike të NATO-s.


 
A ka vend edhe për intelektualë të tjerë shqiptarë të trevave etnike, nëse duan të kyçen në këtë subjekt politik?
 
Sigurisht që po dhe patjetër ka vend dhe është edhe detyrë e shenjtë e çdo intelektuali të mirëfilltë që të inkuadrohet në proceset e Medvegjës. 

Jeni për një Lidhje shqiptare për shpëtimin e Medvegjës?
 
Gjithsesi. I referohem thënies të presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova – MEDVEGJA, ZEMRA E DARDANISË, me të cilën përfundon ballina e monografisë, me këtë thënie: “Medvegja është historia e Dardanisë, është etniteti më i lashtë shqiptar, ku duhet të mbrohet dhe ringjallet vetëdija e lashtësisë sonë. Medvegja është nyja ku nis dhe mbrohet Dardania, ajo është Flamuri i Dardanisë”.

Shoqata është pjesë përbërëse e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare
 
Ka të interesuar nga Shoqata Humanitare “Medvegja” të kyçen në atë subjekt politik, apo do të jeni në rolin e avokatit?
 
Shoqata Humanitare “Medvegja” e ka rolin e vet në të gjitha proceset. Sa për ilustrim, shoqata është pjesë përbërëse e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, e këtë e ka dëshmuar dhe do ta dëshmojë çdo herë.

Sipas jush, kur do të jetë data e fundit që të lajmërohen të gjithë ata që e kërkojnë këtë unitet të medvegjasve dhe formimin e partisë në Medvegjë?

Selmani: Pasi jemi para një situate tepër urgjente, shumë shpejt do të finalizohet kjo domosdoshmëri e kohës. 
 
E selinë, sipas jush, ku duhet ta ketë ajo parti, kur dihet se në Medvegjë ndoshta është e vështirë të realizohet, duke e parë situatën atje?

Selia e subjektit autokton domosdoshmërisht duhet të jetë pikërisht në Medvegjë.
 
Jemi vonuar me Medvegjën?

Po dhe jo. Nëse apeli i shoqatës është në këtë kohë, besoni se nuk do të vonohemi për Medvegjën. Jemi të vendosur dhe të vetëdijshëm me sfidat që na presin, por të paluhatshëm për ta marrë hapin e guximit dhe të ballafaqohemi me kohën.
 
E faji, ku mbetet?

Te injoranca, frika dhe moskuptimi eventual. Këto kanë të bëjnë me individin, ndërsa sa i përket shtetit, është përgjegjësi që nuk falet.
 
Është thënë se shoqata është shumë e fortë sa i përket buxhetit. Është e vërtetë kjo?

Po, shumë e vërtetë. Mbi të gjitha, është e vërtetë se reputacioni i Shoqatës Humanitare “Medvegja” në shtetin mik Zvicër, por edhe në botë, është i pazëvendësueshëm.
 
 
Ta relaksojmë pak bisedën për fund. Do të na interesonte të dimë, se përveç Shoqërisë Kulturo-Artistike dhe Komisionit Sportiv që i k Shoqata, e keni ndërmend të zgjeroheni me ndonjë ide, kur dihet se shoqëria ishte alfa dhe omega e manifestimeve të kësaj shoqate?

Po, patjetër. Në kuadër të shoqatës e kemi formuar enkas Komisionin e Medieve dhe besoj se së shpejti do të kemi edhe shoqëri aksionare për investime në vendlindje.
 
Është lodhur kryetari i shoqatës z.Zenel Neziri, ai veprimtar i madh me përmasa mbarëkombëtare? Besoj se ju këtë e dini, meqë jeni afër tij?

Po sigurisht që e di, por edhe e përkrahim veprimtarin e madh, z.Zenel Neziri. Është me rëndësi jetike për opinionin e gjerë ta dijë se z.Zenel Neziri është i palodhur dhe punëtor i madh. Ai, mbi të gjitha, është njeri i mirë e bujar, edhe pse ndoshta dikush mund të mendojë se Zeneli, Fadili apo ndonjë anëtar tjetër i Kryesisë ka ndonjë privilegj në vendimmarrje, por gabon rëndë, ngase në shoqatën tonë parimi i demokracisë funksionon 100%, 1 anëtar - 1 votë, e kurrsesi ndryshe. Është kënaqësi që e kemi një njeri të tillë në mesin tonë, të cilit me kënaqësi të gjithë i ndihmojmë dhe kemi një Kryesi e vetëdijshme, preventive dhe e hapur për të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë.
 
Shoqata ka bashkëpunim të shëndoshë edhe me miqtë zviceranë, por edhe me të gjitha subjektet politike në të gjitha trevat shqiptare. Nga kjo del se shoqata është motori kryesor edhe i asaj partie që do të formohet, edhe pse e theksuat se nuk do të përzihet në punët politike, por do të jetë e pagjumë për të mirën e Medvegjës?

Shoqata jonë ka shumë miq zviceranë dhe anëtarë nderi, si dhe qytetarë nderi të Medvegjës, edhe të përfaqësuesve të partive qeveritare zvicerane. Është e njohur zyrtarisht nga Kryqi i Kuq dhe Karitasi zviceran, dy organizata me renome botërore. Ka bashkëpunim të shkëlqyeshëm me subjekte të organizuara të trevave shqiptare, anëtarë e qytetarë nderi të shumë individëve me renome dhe kuptohet pas vetes e ka një elitë të gjerë intelektualësh të kalibrave të ndryshëm, andaj roli i saj është i pakontestueshëm.
 
Nëse është e mundur të na i tregoni disa nga projektet që i keni ndërmend t’i realizoni gjatë këtij viti, kur dihet tashmë se Shoqata Humanitare “Medvegja” është bërë një emblemë e merituar e suksesit në mbarë botën shqiptare dhe atë ndërkombëtare, falë punës madhore që ka bërë Kryesia e saj për vite të tëra?

Po, me kënaqësi. Vetëm gjatë këtij viti kemi jo më pak se 12 evenimente të rëndësishme, prej të cilave po i veçojmë vetëm disa: Konferencë shkencore për Medvegjën, tri manifestime këtu në Zvicër, së paku dy në vendlindje, ribotimi i monografisë dhe vazhdimi i lobimit për Medvegjën, portali i internetit www.shoqatamedvegja.com, projektet e ndryshme zhvillimore për Medvegjën etj.
 
Ju faleminderit për kohën dhe ju urojmë shëndet e mbarësi! Urojmë edhe që mediet tona t’i japin hapësirë më të merituar Medvegjës shqiptare. 

Ju lutem, kënaqësia është imja. Ju falënderohem përzemërsisht për gjithë atë që e bëni për Medvegjën. Perëndia ju shpërbleftë me të mira në familje, ju jeni pjesë përbërëse e proceseve për Medvegjën. Për lexuesit përshëndetje të veçanta, e mos e harroni Medvegjën, ngase jemi një popull me një gjuhë, kulturë dhe traditë të njëjtë. Nëse rrethanat historike kanë qenë të tilla dhe na kanë vënë padrejtësisht kufij artificialë ndërmjet nesh, atëherë është mëkat nëse bashkërisht nuk përpiqemi t’i evitojmë ata dhe të ndërtojmë ura bashkimi konform idealeve moderne bashkëkohore.