24Korrik2017

Florim Rushiti - Kingji

Florim Rushiti – Kingji

02.04.1979 – 26.05.1999

 

U lind me 02 prill të vitit 1979 në fshatin Kapit të komunës së Medvegjës.

Si shumë bashkëvedas të tij edhe Florimi qysh në fëmijëri u ballafaqua me sfidën e skamjen dhe varfërisë, me prapambeturinë e imponuar dhe lirinë e kufizuar, me ndjenjën e të qenit qytetar i shtresës së përulur. Kjo mënyrë e të shijuarit të jetës fëmijrore dhe asaj të rinisë së hershme kultivoi në shpirtin e tij një frymë patriotike, e atdhetare.

Mësimet e para i mori në fshatin e lindjes. Etja për dituri dhe emancipim e shtyri drejt Bujanocit për shkollim të mëtejm.

Përkundër dëshirës së tij të flakët për të vazhduar shkollimin nga pamundësia për të përballuar shpenzimet që ia impononte qëndrimi larg shëpisë, e detyruan të braktisë Bujanocin dhe për një kohë të shkurtër u kthye në vendëlindje. Kështu rritej dhe kalitej « qingji » i cili më me ëndje do ta bënte jetën në vathën e vet por duke parë se dimri i rëndê po kanoste farën e tij, emigroi në mynih të Gjermanisë.

Kur ra kushtrimi për liri Florim Rushiti ishte ndër tê parët që iu përgjegj thirrjes së atdheut. Së bashku me bashkëatdhetarë e trima siq ishte Fehmi e Xhemë Ladrovci (që ishin një inkarnim i vërtetë i Azem dhe Shotë Galicës) më 1998 zbarkuan në brigjet e shtetit amë. Nê arganizimet e para për mobilizim, për shkak të moshës së tij tê re iu kërkua nga Fehmi Lladrovci që të kthehet në Gjermani dhe prej andej të ndihmoi në aspektin material e logjistik luftën e cila për ditë e më tepër po merrte përmasat e një lufte çlirimtare nga pushteti dhe dhuna serbe.

 

Kumti i zi mbi vdekjen e Fehmi Lladrovcit nuk e la të qëndroi larg kësaj lufte dhe për herë të dytë ia mësyri shtetit amë dhe kufirit shqiptaro-shqiptar pasi e dinte se vetëm aty mund të merrte hakun për mikun e vrarë dhe të shumë të rinjëve tê tjerë të cilët në luftê me armikun binin në altarin e lirisë.

Një ditë pranvere kur lulet ishin ende të pakta në brigjet e Pashtrikut Florim Rushiti bie heroikisht nga plumbat e armikut. Gjaku i tij dhe i dëshmorëve të tjerë bënë që në brigjet e Pashtrikut, Koritnikut, Bjeshkëve të Nemura, Karadakut e gjithandej Kosovës të çelin mijëra lule që paralajmëruan një pranverë të re. Një pranverë çfar e kishin ënderruar breza të tërë gjatë shekujve.

Kështu ky « qingj » që sapo kishte mbushur njëzet pranvera dha jetën si një ujk i vërtetë duke u hedhur mbi istikamet e armikut.

Trupi i tij sot prehet në varrezat e dëshmorëve në Landovicë të Prizrenit.

Është edhe ky një dëshmor nga treva e Kosovës Lindore që dha jetën në luftën e fundit në Kosovë.

Fatkeqësisht edhe sot kjo trevë nuk ka shijuar ende pranverën për të cilën u flijuan dëshmorët e Medvegjës, Preshevës, Kumanovës, Tetovës.